Site icon Telegrafi

BE presion Greqisë për Shqipërinë, “të mos bllokojnë integrimin” – zbulohet hapi tjetër i Athinës

Ka disa ditë që në Athinë zhvillohen konsultime intensive diplomatike, në mënyrë që Greqia të japë miratimin tek letra e përbashkët e 27 vendeve anëtare të BE-së drejt Shqipërisë, që ajo të fillojë negociatat për hapjen e grupit të parë të kapitujve të anëtarësimit, proces që Athina e mban të ngrirë për shkak të çështjes Beleri.

Sipas gazetës Kathimerini, diskutimi përkatës pritet të zhvillohet në takimin e përfaqësuesve të përhershëm në BE të mërkurën e ardhshme, pasi Shqipëria përfundoi me sukses të premten e kaluar fazën e parë të negociatave të anëtarësimit (procesin e shqyrtimit), pas 14 muajsh konsultimesh.

Zhvillimet në fjalë vijnë në një moment kur sipas burimeve diplomatike presioni ndaj Athinës është i madh.

Javën e kaluar ministria e Jashtme gjermane ka deklaruar se “çështja Beleri nuk duhet të bilaterizohet dhe të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pasi është vendi që ka bërë më shumë hapa drejt anëtarësimit dhe se kjo rrugë nuk duhet të ndërpritet”.

Gjithashtu Kathimerini thekson se sipas një zyrtari evropian edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e shqetësuar me qëndrimin e palës greke.

Megjithëse para disa ditësh ministri i shtetit Savros Papastavrou që kishte vizituar edhe Fredi Belerin në burg, ka deklaruar se çështja e tij është thellësisht evropiane dhe nuk është dypalëshe, pasi ka të bëjë me respektimin e shtetit ligjor, burime diplomatike në Athinë thonë se qeveria greke po shqyrton aktualisht qëndrimin që do të mbajë, pasi nuk mund të “bllokojë” për një kohë të gjatë çështjen në fjalë, e cila në çdo rast është një procedurë kryesisht e nivelit teknik.

Për këtë arsye, Athina po shqyrton mundësitë e “bllokimit” në fazën tjetër të procesit përkatës, në rast se përfundimisht do të hapet drita jeshile për dërgimin e letrave në emër të Këshillit Europian në Tiranë dhe Shkup. /Tch/Telegrafi/

Exit mobile version