Site icon Telegrafi

Presidentja sllovene: Shpresoj që Maqedonia e Veriut do të tregojë mençuri për ndryshimet kushtetuese

Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski sot e ka pritur në homologen e tij sllovene, Natasha Pirc Musar, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në RMV.

Musar u prit me nderime të larta shtetërore, ndërsa pas takimit me Pendarovskin ajo tha se Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia kanë bashkëpunim tradicional dhe tha se si presidente ajo do të punojë që ky bashkëpunim të rritet.

Musar tha se edhe Sllovenia e ka kaluar të njëjtën rrugë drejt BE-së, ndërsa shpreson që RMV do të tregojë mençuri për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

“Sllovenia gjithashtu duhej të ndryshonte Kushtetutën e saj, pati argumente politike dhe debate për lejimin e të huajve për të blerë prona në Slloveni. Edhe në atë kohë na thanë se ishte kundër interesave të Sllovenisë, por në fund i bëmë ndryshimet dhe vazhduam”, tha Pirc Musar.

Presidentja sllovene Pirc Musar gjatë vizitës zyrtare do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, me kryetarin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe do të mbajë fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/

Exit mobile version