Telegrafi

Presidentja Osmani ia dorëzon flamurin e shtetit skitarit Albin Tahiri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar flamurin e shtetit skitarit Albin Tahiri.

Ceremonia është mbajtur të premten në presidencë, ndërsa Tahiri së bashku me skitaren Kiana Kryeziu do ta përfaqësojnë Kosovë në LOD që mbahen në Pekin muajin tjetër.

“Jam këtu për t’ia dorëzuar flamurin e Republikës së Kosovës për ekipin olimpik që do të paraqitet në Lojërat Olimpike Dimërore. Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu do ta përfaqësojnë Kosovën dhe këtë do ta bëjnë me dinjitet. Do të vazhdojnë të jenë imazhi i Kosovës në këtë ngjarje”.

“Ne sigurisht që presim suksese por pjesëmarrja e tyre është vet sukses dhe po del se sportistët janë ambasadorët më të mirë të shtetit tonë. Ky flamur do të valojë në një shtet që nuk na ka njohur por nëpërmjet sportistëve do të japim mesazhin e duhur”, ka thënë presidentja Osmani.

Kurse, Tahiri e falënderoi presidenten dhe premtoi se me krenari do ta bartë flamurin dhe do të mundohet që ta bëjë krenare Kosovën me paraqitjen e tij në Pekin.

Në ceremonitë e së premtes ka munguar skitarja Kiana Kryeziu, që sipas KOK-ut është e sëmurë.