“Të përgëzoj për sukseset e arritura. Këto janë gëzim dhe sukses për ty, por janë sukses dhe krenari edhe për Kosovën. Më mirë se secila lëmi tjetër, sporti përçon mesazhet e garës, konkurrencës, paqes dhe mirëkuptimit në mes njerëzve. Ti e përçon emrin e Kosovës kudo që shkon dhe ne ndjehemi mirë kur i shohim sukseset tua. Ti je e re, por dallohesh me një vullnet të çeliktë, me një përkushtim, me një qëndrim shumë profesional të punës, që e dëshmon se përveç talentit është edhe puna ajo që i tregon rezultatet”, ka thënë presidentja.
Jahjaga i ka dhënë përkrahje të plotë Majlindës për përfaqësimin e saj në Olimpiadën që mbahet në Londër këtë vit.
“Unë do të angazhohem që të gjejmë formën institucionale për të mbështetur dhe përkrahur. Pjesëmarrja e Kosovës në Olimpiadë do të ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Pjesëmarrja jote dhe e sportisteve të kalibrit tënd do t’i bënte nder vendit tonë dhe sportit në përgjithësi”, ka shtuar Jahjaga.
Sportistja e njohur e falënderoi presidenten për përkrahjen e saj dhe për angazhimin që ajo të përfaqësohet në lojërat Olimpike në Londër. Ajo i dhuroi presidentes një bluzë më mbishkrimin “Kosova në Olimpiadë”. /Telegrafi/