Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Guglielmo Luigi Miglietta ka pritur presidenten e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, në Kampin “Film City” Shtabin e Përgjithshëm të NATO KFOR-it.
Sipas një njoftimi, gjenerali Miglietta dhe presidentja Kitaroviq diskutuan rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe zhvillimeve të fundit mbi sigurinë në rajon.
“Ata u pajtuan për rëndësinë e rolit të KFOR-it që vepron në mënyrë të paanshme si reagues i tretë i sigurisë për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.
Po sipas njoftimit, takimi gjithashtu ishte një mundësi për gjeneralin Miglietta që të theksojë profesionalizmin e lartë të ushtarëve kroatë në përmbushjen e mandatit të KFOR-it. Aktualisht, ushtarët e Forcave të armatosura kroate zbarkohen kryesisht në Kampin “Bondsteel” në njësitin e helikopterëve. Ushtarët e tjerë kroatë janë pjesë të Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City”.
Gjithashtu, shtohet në njoftim, presidentja Kitaroviq ka konfirmuar që “Kroacia është plotësisht e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit në Evropën jug-lindore dhe do të vazhdojë të kontribuojë në KFOR për një Kosovë demokratike dhe paqësore”.