Site icon Telegrafi

Presidenti brazilian viziton fabrikën e gjigantit gjerman, Volkswagen me veturë speciale në nderim të tij

Volkswagen prezantoi një krijim interesant në Brazil, pikërisht modelin Virtus që u shndërrua në një veturë pa çati.

Virtus është një sedan i njohur në tregun brazilian, i cili falë punës së 30 inxhinierëve u shndërrua në një kabriolet me katër dyer në një periudhë prej gjashtë javësh. Për ata që nuk e dinë, Virtus është në thelb një supermini Polo në formë sedan.

Është një projekt unik i krijuar posaçërisht për vizitën e presidentit brazilian, Luiz Inacio Lula de Silva në fabrikën e Volkswagen në Sao Bernardo do Campo në Sao Paulo. Duket se nuk është një kabriolet i vërtetë, sepse fotot nuk tregojnë askund një çati të palosshme. Përveç humbjes së shtyllave B dhe C, pati edhe disa ndryshime të tjera.

Ekipi brazilian i Volkswagen e zgjati makinën duke rritur bazën e rrotave, gjë që rezultoi në më shumë hapësirë për pasagjerët e ulëseve të pasme.

Sidoqoftë, ky modifikim kërkonte një ndryshim në madhësinë e rezervuarit të karburantit. Për më tepër, pas heqjes së çatisë, trupi duhej të forcohej më tej, u vendos një shirit tërthor midis ulëseve të përparme dhe të pasme.

Virtus i pazakontë është automjeti i pestë i modifikuar nga Volkswagen Brazili me rastin e vizitave presidenciale, pas Fusca/Beetle (1959 dhe 1993), Polo Sedan (2003) dhe Fox (2005). Presidenti vizitoi fabrikën duke u ulur në pjesën e pasme të një sedani, i cili u bë një kabriolet. Virtus unik do të ruhet në muzeun e veturave historike, i cili ndodhet në fabrikë. /Telegrafi/

Exit mobile version