Site icon Telegrafi

Presidenti i zgjedhur iranian i gatshëm të vendosë marrëdhëniet me Evropën “në rrugën e duhur”

Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Masoud Pezeshkian, është deklaruar se pret me padurim përmirësimin e lidhjeve me Evropën.

“Pavarësisht hapave të gabuar, mezi pres të angazhohemi në dialog konstruktiv me vendet evropiane për të vendosur marrëdhëniet tona në rrugën e duhur, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë dhe të pozitës së barabartë”, shkroi Pezeshkian në gazetën Tehran Times.

Pezeshkian vazhdoi duke deklaruar se kishte fusha të shumta bashkëpunimi për t’u eksploruar pasi “fuqitë evropiane të pajtohen me këtë realitet dhe të lënë mënjanë krizat që kanë pllakosur marrëdhëniet për kaq shumë kohë”.

Ndryshe, Pezeshkian, një kirurg zemre dhe ligjvënës 69-vjeçar, fitoi zgjedhjet presidenciale të Iranit të shtunën e kaluar, duke mposhtur rivalin e tij Saeed Jalili, ish-negociatorin bërthamor të Iranit, në një votim thelbësor mes tensioneve të rritura brenda dhe jashtë vendit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Reformisti ka favorizuar dialogun me armiqtë e Iranit, veçanërisht për programin e tij bërthamor, dhe e sheh atë si një mjet për të adresuar çështjet e brendshme të vendit.

Por, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Seyyed Ali Khamenei, ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet e shtetit.

Pezeshkian përfundimisht do t’i përgjigjet Khameneit, i cili ka dënuar ata që kërkojnë përmirësim të marrëdhënieve me Perëndimin, për çështjet e politikës së jashtme. /Telegrafi/

Exit mobile version