Përfaqësuesja e Ukrainës, Jamala, që fitoi në garën për këngën më të mirë në Evropë është tartare nga Krimeja.
32-vjeçarja u shpall fituese pasi mori numrin më të madh të votave nga juritë dhe shikuesit televizivë në gjithë Evropën. Teksa mori çmimin, ajo tha se dëshiron “paqe dhe dashuri për çdokënd”.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e përshëndeti paraqitjen e Jamalas duke thënë se ishte “një fitore e pabesueshme”.
Rrjedhimisht, gara e vitit të ardhshëm e Evrovisionit për këngën më të mirë, do të mbahet në Ukrainë, vend që ishte fitues edhe në vitin 2004.
Ndërkohë, në garën më të madhe të muzikës në Evropë për herë të parë mori pjesë edhe Australia, që i rrëshqiti fitorja nga dora, duke u plasuar në vendin e dytë, ndërsa Rusia doli e treta, në garën që u zhvillua në Stokholm të Suedisë.
Këtë shou, ku merrnin pjesë 26 finalistë, vlerësohet se e kanë shikuar afro 200 milionë njerëz në Evropë, Kinë, Australi, Zelandën e Re dhe Shtetet e Bashkuara.