Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin e ka përsëritur edhe një herë se ai është i hapur për të lejuar që ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë ekskluzive me “Men in Blazers”, kreu i shtëpisë së futbollit evropian i tha Roger Bennett se ai nuk do të përjashtonte mbajtjen e një pjese të ndeshjeve jashtë Evropës.
“Është e mundur (Liga e Kampionëve në SHBA)”, deklaroi Ceferin. “Ne filluam të diskutonim për këtë, por më pas ishte Kampionati Botëror, 2024 është Euro, këtë vit është Stambolli, ’24 në Londër, ’25 në Mynih. Dhe pas kësaj le të shohim. Është e mundur, është e mundur”.
Në vitin 2016, Ceferin për herë të parë nxori idenë që ndeshjet e garës më të madhe në kontinentin e vjetër të lueshin në Shtetet e Bashkuara.
Ceferin, megjithatë, u tha gazetarëve në shtator se nuk ishte zhvilluar asnjë diskutim për të luajtur ndeshjet e Ligës së Kampionëve jashtë Evropës.
“Unë do të isha i vetëdijshëm nëse do të kishte ndonjë diskutim për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve jashtë Evropës dhe nuk di asgjë në lidhje me këtë”, kishte thënë ai për Europa Press.
Këtë javë, Ceferin i tha Bennettit se e kuptonte vlerën financiare të tregut të sportit në SHBA.
Ceferin është mburrur në të kaluarën se UEFA fiton më shumë se FIFA, dhe raportet fiskale e dëshmojnë përsëri në vitin 2023, me një të ardhur vjetore të raportuar prej 6.9 miliardë dollarësh të UEFA-s, rreth trefishi i madhësisë së FIFA-s. /Telegrafi/