Site icon Telegrafi

Presidenti i UEFA-s, Ceferin: Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë

Ceferin dhe presidenti i FFK, Agim Ademi (Foto: Getty Images/Guliver)

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Stamboll, është takuar me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, si dhe me homologët e tij, Nihat Ozdemir nga Turqia, Davor Shuker nga Kroacia dhe Elvedin Begiq nga Bosnja e Hercegovina.

Gjatë këtij takimi Ademi është përgëzuar për serinë e shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, si dhe për punën e mirë që po bën FFK-ja në zhvillimin e futbollit.

Në bashkëbisedim e sipër i pari i UEFA-s, slloveni Ceferin e përgëzoj presidentin tonë për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet.

Po ashtu, Ceferin theksoi se “Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion”.

Ndërkaq, presidenti Ademi e preku edhe temën e ndeshjeve ilegale të klubeve serbe, me ç’rast kërkoj nga UEFA që të respektohet statuti i saj në lidhje me përzierjen e ligave të shteteve tjera në territorin e një anëtari të UEFA-s, siç është tani rasti i Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shtetet të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, e që do të jenë mysafire në Kosovë për ndeshjet kualifikuese, siç është rasti me Rusinë në konkurrencën e femrave.

Me këtë rast, presidenti Ademi garantoi siguri të plotë për Rusinë dhe për çdo kombëtare tjetër, si dhe mikpritje dhe respektim të plotë të rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s. /Telegrafi/

Exit mobile version