Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi takon Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn, ka “një porosi të qartë për ta”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim dy bashkëdrejtuesit e delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë.

Sipas një njoftimi, presidenti Thaçi ka biseduar me kryesuesit e Ekipit Negociator për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç thuhet tutje, Presidenti Thaçi me bartësit e Ekipit Negociator të Kosovës kanë biseduar edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të koordinimit përgjatë procesit të bisedimeve dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila Kosovës duhet t’i sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE.

“Ky momentum duhet shfrytëzuar dhe është e nevojshme të forcohet edhe më shumë uniteti politik dhe të flitet me një zë për Kosovën. Kjo ishte edhe kërkesa e qartë e presidentit Trump për lidershipin e Kosovës, të cilën ne duhet ta respektojmë, sepse është në përputhje të plotë me interesin tonë shtetëror”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës të Kosovës në procesin e dialogut me e Serbisë.

Ndërkohë, 300 mijë euro janë ndarë sot nga Qeveria e Kosovës për ekipin negociator me Serbinë.

Ditë më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate bëri që të zgjidhen 12 anëtarë të një ekipi negociator që do të udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së, si dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate. /Telegrafi/

Exit mobile version