Telegrafi

Presidenti Thaçi takoi kryeministrin e Ishujve Solomon dhe atë të Sllovenisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, të cilin e ka falënderuar për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës ndaj Ishujve Solomon për njohjen e Kosovës si shtet dhe për mbështetjen e vazhdueshme që po e japin për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtar.

Presidenti Thaçi me këtë rast ftoi kryeministrin Sogavare për thellimin e bashkëpunimit reciprok në të gjitha fushat.

Thaçi po ashtu takoi edhe kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.

Gjatë këtij takimi presidenti Thaçi, ka thënë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës i janë falënderues dhe mirënjohës Sllovenisë për ndihmën e jashtëzakonshme në shtet-ndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euro-atlantike.

Kreu i shtetit e falënderoi kryeministrin Cerar për përkushtimin e tij dhe të qeverisë sllovene për ta mbështetur Kosovën në forcimin e pozitës së saj në arenën globale dhe për anëtarësimin e vendit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.