Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e Ganës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale të ambasadores Salma Frances Mancell, ambasadore jo-rezidente e Republikës së Ganës për Kosovë.

“Kam kënaqësinë të pranoj kredencialet tuaja dhe t’ju uroj për marrjen e detyrës së Ambasadores së Ganës për Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke falënderuar për njohjen dhe mbështetjen e Ganës për Kosovën.

“Jemi shtet i ri, por me ambicie të mëdha për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet që punojnë për paqe e liri të popujve në botë”, shtoi presidenti Thaçi.

Ambasadorja Mancell u shpreh e lumtur që po merr detyrën e Ambasadores për Kosovë dhe që mund të kontribuojë në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve tona.

“Gana ka qenë motiv për lirinë e popujve të Afrikës. Sot është shtet me potencial të madh për zhvillim ekonomik. Dëshirojmë të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë”, ka thënë ambasadorja Mancell.

Kreu i shtetit shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në mes dy vendeve mike./Telegrafi/

Exit mobile version