Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi nga Rinasi: Të dielën do t’i drejtohem qytetarëve të Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka aterruar në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq bëri të ditur  se të dielën në mbrëmje do t’iu drejtohet qytetarëve.

Thaçi në një postim në rrjetin social në Faceboook shkruan se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara.

“Motra dhe vëllezër, Miq të dashur. Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara. Gjithmonë i juaji, deri në fund, Hashimi ?? ??”,  ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndryshe, Specialja ka ngritur aktakuzë kundër presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Pas kësaj, presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë anuluar vizitën në Washington, ku pritej të rifillonte dialogu me Serbinë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. /Telegrafi/

Exit mobile version