Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar qytetarët e Kukësit me “Urdhrin e Lirisë”, si shenjë falënderimi për strehimin që ata bënë për qytetarët e Kosovës gjatë luftës së fundit në vendin tonë.
Presidenti Thaçi gjatë ceremonisë zyrtare në Kukës, tha ky qytet ka qenë epiqendra e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa, kuksjanët kanë qenë afër qytetarëve të Kosovës në momentet më të rëndësishme për vendin.
“Jam këtu për të shprehur falënderimin e madh për qytetarët e Kukësit, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës 1998-1999. Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës në fund shekullin e XX, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje, u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar dhe fisnik….Në Kukës zunë vend rreth gjysmë milioni qytetarë të dëbuar. Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, kosovarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës”, tha ai.
Ai shtoi se kontribut gjatë luftës së fundit ka dhënë e gjithë Shqipëria, pa të cilën nuk do të kishte as liri dhe as pavarësi të Kosovës.
“Sot historia e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë ka ndërruar rrënjësisht për të mirë. Asnjëherë në histori nuk kanë qenë më të mira marrëdhëniet tona politike, ekonomike kulturore dhe të të gjitha fushave të jetës. Shqipëria demokratike është shtet anëtar i NATO-s. Kosova e lirë dhe e pavarur është në rrugë të sigurt drejt integrimeve euroatlantike. Pavarësisht se jemi një komb në dy shtete, ne nuk kemi alternativë tjetër përpos integrimeve euroatlantike”, tha ai.
Kurse, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu tha se Kukësi po nderohet për shkak të vlerave që tregoi në pranverën dramatike të vitit 1999, të cilat kanë të bëjnë me humanizmin ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Nderi më i lart i vjen Kukësit sot nga Kosova. Mirënjohja vjen pikërisht nga vendi që përjetoi ato ngjarje dramatike. Kjo është me rëndësi të veçantë, Kosova di të nderojë, Kosova nuk harron të kaluarën e vet, Kosova nuk harron Kukësin dhe kuksjanët, prandaj kjo është dritë e re komunikimi, bashkëpunimi real, “, tha ai.
Ai tha se kjo ditë të shpallet si ditë kombëtare, ku kujtesa kolektive të jetë më prezentë dhe të kujtohen ato ditë të vështira.