Për dallim nga drejtues të institucioneve të tjera dhe të partive politike, në pritjen e organizuar nga BIRK për urimet për Kurban Bajram nuk është shfaqur as presidenti as ndonjë përfaqësues i Presidencës.
Liderë institucionalë e përfaqësues të partive politike kanë uruar sot Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës në pritjen e organizuar nga kjo e fundit me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Ata janë pritur nga zëvendësi i kryetarit të BIRK-së, Reshat Mexhiti.
Kryeministri Isa Mustafa tha se duhet të punohet për të çuar përpara proceset e zhvillimit të vendit ndërsa konsideroi se gjendja në Kosovë po përmirësohet për çdo Bajram.
“Unë jam i lumtur që çdo Bajram po e kremtojmë në një gjendje më të mirë edhe shpirtërore edhe ekonomike dhe dëshiroj që të punojmë bashkërisht që njerëzit të ndihen mirë dhe bashkërisht t’i çojmë proceset përpara”, tha ai.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vlerësoi se duhet më shumë paqe e dashuri në mes vete.
“Shpresoj që nuk duhet ta kujtojmë njëri-tjetrin vetëm në ditë të veçanta si është kjo ditë e Bajramit por ta ndihmojmë e respektojmë njëri-tjetrin çdo ditë dhe ta respektojmë më së shumti identitetin tonë, kombin tonë dhe shtetin tonë”, tha Veseli.
Ndërsa, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se Bajrami është festë që transmeton porosi.
“Kjo festë e jona e ka një porosi të mirë. Porosia është me qenë pranë njëri-tjetrit, pra solidariteti e sakrifica. Populli jonë e ka kultivu sakrificën në të gjithë kohërat, edhe në këtë kohë duhet të jemi afër njëri-tjetrit”, tha Haradinaj.
Bashkësinë Islame dhe besimtarët myslimanë i ka uruar edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, don Lush Gjergji.
“Urojmë nga zemra Bajramin e vogël. Quhet i vogël por e ka një domethënie të madhe sepse flijimi, dhurimi, dashuria për Zotin përforcohet përmes afrimit dhe duhet të jetë më e madhe”, tha ai gjatë vizitës në Bashkësinë Islame.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri theksoi se gatishmëria për sakrificë është rruga e vetme përpara drejt një shoqërie të barabartë.
“Konsideroj se është e domosdoshme që secili prej nesh ta kuptojmë rëndësinë e bashkëjetesës mes njerëzve të barabartë si bashkëjetesë në mes të njerëzve të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe bashkërisht si njerëz që ndërtojnë institucione të cilat pastaj kolektivisht ia mbrojnë interesin”, tha Ymeri.
Në vizitë mungoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. As ai as ndonjë përfaqësues i Presidencës nuk erdhi për urime në BIRK.
Zëvendësi i kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Reshat Mexhiti, ka thënë se nga Presidenca nuk ka pasur asnjë paralajmërim përse nuk kanë ardhur. /kallxo.com/