Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në Konferencën Regjionale për sigurinë e punës së gazetarëve, të organizuar nga OSBE-ja ka thënë se gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon.
“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërsa, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, është shprehur presidenti Thaçi.
Presidenti ka thënë se kemi pasur dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme.
“E para, në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë, ka filluar në kohën e represionit dhe aparteidit.
Ndër të parët që janë përballur me represionin dhe përpjekjen për të ndalur zërin që kërkonte drejtësi e barazi kanë qenë pikërisht gazetarët. Në këto rrethana është farkëtuar guximi për t’u përballur me pushtetin, çfarëdo qoftë ai. Por, edhe janë kultivuar vlerat si paanshmëria, profesionalizmi, zelli për të hulumtuar dhe për të kërkuar informatën e saktë, si dhe guximi për të publikuar çdo informatë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Sipas tij, kjo ka pasur çmimin e vet, sepse gazetarët gjithmonë kanë qenë në thumb të atyre që me dhunë dhe me represion kanë kërkuar të instalojnë politikat e tyre.
“Janë sulmuar, janë dhunuar, janë kidnapuar dhe janë vrarë. Ka ende gazetarë që janë të zhdukur, që nga lufta”, ka thënë ai.
E dyta, sipas presidentit Thaçi, pas luftës në Kosovë kemi pasur përkrahje të madhe ndërkombëtare në ndërtimin e një gazetarie profesionale, të standardeve më të larta.
“Ka qenë vetë misioni i OSBE-së që ka udhëhequr përpjekjet për një gazetari profesionale në Kosovë. Është punuar në trajnimin e gazetarëve dhe mediave në përgjithësi, qoftë në kuadër të studimeve për gazetari në Universitetin e Prishtinës, qoftë përmes trajnimeve për gazetarët ekzistues. Është përkrahur formimi i organizatave që mbrojnë gazetarët, të drejtat e gazetarëve, por edhe organizatat që mbrojnë vetë profesionin e gazetarëve. Është përkrahur krijimi i legjislacionit që mbron punën e gazetarëve, si dhe vetë gazetarët”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se gazetarët në Kosovë janë të mbrojtur me ligj në punën e tyre.
“Jo që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre. Kjo është bërë me qëllim që të mbrohet sa më shumë kredibiliteti, integriteti dhe profesionalizmi i gazetarisë si profesion”, ka thënë presidenti Thaçi.
Gjithashtu Thaçi ka thënë se gazetarët nuk e kanë të lehtë punën e tyre, sepse edhe në Kosovë përballen me presione mbi punën e tyre.
“Shkrimet për korrupsionin, për ekstremizmin, për radikalizmin, për të drejtat e barabarta për çdo komunitet, qoftë për komunitetet etnike, qoftë për komunitetet tjera si LGBTI, për më të cenueshmit si gratë dhe fëmijët, i vënë gazetarët në kërcënim dhe rrezik të drejtpërdrejtë. Edhe në këtë rrafsh, në Kosovë kemi instaluar mekanizma për mbrojtjen e gazetarëve. Policia e Kosovës angazhohet për t’u dalë në mbrojtje gazetarëve kur kjo është e nevojshme. Kjo bëhet qoftë duke ofruar përcjellje dhe siguri për ta, qoftë duke hetuar burimin e kërcënimit dhe duke sanksionuar ata që kërcënojnë gazetarët”, është shprehur presidenti Thaçi.
Sipas tij, kjo ka rezultuar me një gazetari të guximshme, dinamike dhe të fuqishme në Kosovë.
Për sa i përket sfidave të gazetarisë, presidenti Thaçi ka thënë se edhe këtu Kosova është në hap me botën, pra jo vetëm me të arriturat, por edhe me sfidat me të cilat përballet sot.
“Sfida kryesore për gazetarët dhe për gazetarinë si profesion nuk vjen nga jashtë profesionit, por nga brenda profesionit. Sot, falë mundësive që ofron interneti, raportimi dhe shpërndarja e lajmeve është bërë më e lehtë se kurdoherë më parë. Por, kjo ka bërë që në profesionin e gazetarisë të depërtojnë edhe ata që gazetarinë nuk e kanë qëllim, por mjet për realizimin e ambicieve tjera të tyre”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kjo, sipas presidentit Thaçi, e gërryen përbrenda integritetin, profesionalizmin dhe besueshmërinë e profesionit të gazetarit.
“Së paku në Kosovë, sot nuk është më sfidë liria e të shprehur të gazetarëve. Sfidë është abuzimi dhe keqpërdorimi që i bëhet lirisë së të shprehurit nga ata që gazetarinë nuk e kanë profesion”, ka thënë ai.
Edhe këtu, presidenti Thaçi ka thënë se rolin kryesor në mbrojtjen e profesionit e kanë vetë gazetarët.
“Të organizuar rreth institucioneve të themeluara nga përfaqësuesit e mediave që monitorojnë ruajtjen e standardeve profesionale, vetë gazetarët janë më të thirrurit që të mbrojnë profesionin e tyre nga abuzimet. Ne të tjerëve na takon që t’i përkrahim gazetarët në kultivimin e një ambienti që çmon dhe vlerëson, por edhe që ruan dhe mbron gazetarinë profesionale”, ka thënë presidenti Thaçi. /Telegrafi/