Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi dhe ambasadori norvegjez flasin për sundimin e ligjit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë e rajon, si dhe për prioritetet e tij si President i Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se tanimë ka një stabilitet politik në Kosovë, i cili po përcillet me një dialog gjithnjë e më të intensifikuar. “MSA ka ndikuar pozitivisht në dialogun politik brenda Kosovës, pasi partitë politike nga i tërë spektri janë ulur të bisedojnë për implementimin e MSA-së”, shtoi Thaçi.

Ai u shpreh se “prioritete të Presidencës do të jenë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe fuqizimi e funksionimi demokratik i institucioneve të shtetit”.

Nga ana tjetër, ambasadori Braathu u shpreh i gëzuar që Kosova ka tejkaluar tensionet politike dhe se tash vëmendja është kthyer kah bashkëpunimi dhe puna për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare.

Presidenti Thaçi rikonfirmoi se do të mbështesë edhe dialogun e jashtëm, me Serbinë, me rajonin dhe me BE-në.

Exit mobile version