Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi dekoron Baroneshën Ashton me Medalje Presidenciale

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka pritur në një takim ish-përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton e cila po qëndron në Kosovë.

Baronesha Ashton është dekoruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në proceset e dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit​, presidenti Thaçi ka vlerësuar përkushtimin e Baroneshës Ashton gjatë procesit evropian të dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se vendosmëria, durimi dhe vizioni i zonjës Ashton ka bërë që të arrihen marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vizioni evropian do të ngadhënjej në rajonin tonë pavarësisht tensioneve të përkohshme që mund të krijohen. E ardhmja e Kosovës dhe e tërë Ballkanit perëndimor është një e ardhme euro-atlantike që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, tha Thaçi duke shtuar se roli i i Baroneshes Ashton është madhor dhe historik.

Ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baronesha Catherine Ashton, ka thënë se dialogu do të ndihmojë që njerëzit të komunikojnë mes vete.

Ajo, ka ritheksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si mënyra më e mirë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.

Exit mobile version