Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është i bindur se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi do të kalojë më 1 shtator.
Thaçi, në një bisedë telefonike për RTV Dukagjinin, ka thënë se nuk do të involvohet në debatet ndërpartiake porse, sipas tij, çështja e demarkacionit tejkalon çështjet politike “pasi është interes i shtetit dhe së i ardhmes”.
Ai është i bindur se më 1 shtator, kur në Kuvend do të hidhet për votim demarkacioni, nuk do të ketë tensione. Madje, është shprehur i sigurt se Komisioni për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka bërë një punë të mirë dhe se demarkacioni do të votohet nga shumica e deputetëve.
“Unë nuk dua të shpresoj dhe besoj që do të ketë tensione, sepse tanimë gjithçka është e qartë, Marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është e saktë, është e drejtë, është koha e nxjerrjes së vendimit, e votimit të deputetëve. Është me rëndësi që shumica dërmuese e deputeteve e kanë të qartë dhe do të votojnë me 1 shtator në favor të demarkacionit në mes shtetit te Kosovës dhe Malit të Zi. Kosova ruan integritetin e vet territorial. Kjo marrëveshje është arritur duke respektuar rrethanat e Kushtetutës se vitit 1974, pastaj të Marrëveshjes së Kumanovës në qershor 1999 – kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
I pyetur rreth çështjes së kalimit të procesit të bisedimeve me Serbinë në nivel presidencial, ai ka thënë se ato “duhet të jenë në nivel funksional, ku të gjithë akterët politikë në Kosovë, përfshirë edhe atë, mund të luajnë rol aktiv”.
“Bisedimet duhet të jenë në nivel funksional më tepër sesa të fokusohemi te individualizimi. Unë isha njëri ndër iniciatorët, zhvilluesit dhe përmbyllësit e një procesi te rëndësishëm të arritjes marrëveshjes se prillit 2013 mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë mbas 100 viteve të problemeve dhe te konflikteve. Por, tani, nga vizioni im, e shoh që duhet ky dialog te avancohet ne nivel të agjendës politike që do të rezultonte një marrëveshje, një hapësire më të gjerë të kornizës më të gjerë politike, që do të çonte në përmbylljen e gjërave që janë të diskutueshme dhe mund të kryhen brenda 3-4 muajsh – në vend që të vazhdojnë për 4 apo 5 vite. Unë besoj që kjo mund të arrihet. Secili lider politik mund të luajë një rol të rëndësishëm, por përgjegjësit janë shkallë-shkallë edhe në Republikën e Kosovës, duke u nisur nga Presidenca, Kryeministria, kryetari i Parlamentit, natyrisht edhe roli opozitar që në të kaluarën ka qene i rëndësishëm në këtë proces të përballjes së përbashkët të angazhimeve dhe sfidave e edhe te sukseseve qe i kemi arritur”, shtoi Thaçi.
Ndërkohë, duke folur për përgjimet e bëra ndaj ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, si dhe të publikimit të listës të të punësuarve pa konkurs në Komunën e Prishtinës, presidenti Thaçi ka thënë se organet e drejtësisë duhet të japin përgjigje për këto dy çështje.
“Nuk dëshiroj që të hyjë në detaje e komentimit të opinioneve të shfaqura në mes të partive politike, por mendoj se autoritetet dhe institucionet përgjegjëse duhet të japin përgjigje edhe të zhvillimeve negative në Komunën e Prishtinës e edhe opinioneve të shfaqura në ato përgjime nga Shpend Ahmeti dhe Grabovci”, ka thënë presidenti i vendit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/
https://youtu.be/qjS8U-5VNqw