Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë.
Në kuadër të vizitës së tij, Pahor do të pritet në një takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi do të nis në orën 10:00.
Pas takimit me presidenten Osmani, presidenti slloven do të takohet edhe kryeministrin Albin Kurti. Takimi mes Kurtit dhe Pahor do të zhvillohet në orën 12:00.
Pahor do të vizitojë edhe kontingjentin slloven në kuadër të KFOR-it, ku do të takohet me komandantin Ferenc Kajari.
Presidenti slloven dje ka qëndruar për vizitë në Serbi, ku shprehi shqetësimin e tij për disa deklarata që mund të dëgjohen së fundmi në Ballkanin Perëndimor dhe theksoi se kjo mund të përgjigjet vetëm me përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së në atë rajon.
“Jam i shqetësuar për disa procese në Ballkanin Perëndimor, sot edhe më shumë për shkak të disa deklaratave që mund të dëgjojmë dhe mendoj se mund t’u përgjigjemi atyre vetëm me një zgjerim të shpejtë dhe të suksesshëm të Bashkimit Evropian në atë pjesë të Evropës”, tha Pahor pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Tutje ai theksoi se do të punojë me bashkëbiseduesit e tij në Kosovë, ku po shkon pas Beogradit, për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat po zhvillohen në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Dialogu që është ndalur, më shqetëson. Mendoj se duhet të vazhdojë”, tha Pahor, duke shtuar se Sllovenia gjithmonë e ka mbështetur dialogun dhe se ngërçi nuk i bën dobi askujt. /Telegrafi/