“Kushtetuta e Shqipërisë thotë se të gjitha të drejtat e shqiptarëve duhet t’i mbrojë Shqipëria”. Kështu, sipas “Sputnikut” rus në gjuhën serbe, ka deklaruar Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë.
Ai foli me rastin e vizitës së paralajmëruar të presidentit të Shqipërisë në Luginë të Preshevës.
Pas “Platformës së Tiranës” të Edi Ramës, siç e quajtën takimin e kryeministrit të Shqipërisë me liderët shqiptarë të Maqedonisë pas zgjedhjeve në këtë vend, dhe “thirrjes për luftë” të Hashim Thaçit që të “mos lëshojnë pe”, sipas medieve serbe, “ofensiva” e shqiptarëve po arrin edhe në Serbinë e Jugut dhe kjo në formë të vizitës së Bujar Nishanit, presidentit të Shqipërisë, i cili ka paralajmëruar që më 7 mars të vizitojë jugun e Serbisë, më saktësisht Bujanocin dhe Preshevën, shkruan “Sputnik”.
Kjo është vizita e parë e kryetarit të shtetit shqiptar në Serbi pas 69 vjetësh. Presidenti i parë i Shqipërisë në Serbi ka qenë më 1948, kur në Beograd ishte Enver Hoxha.
“A do të jetë vizita e Nishanit në jug të Serbisë pjesë e ofensivës diplomatike të shqiptarëve dhe a mund të ndodhë që pas vizitës së tij të pritet edhe ndonjë “Platformë e re e Tiranës” për vendin tonë, e ngjashme me atë me regji të Ramës në Maqedoni”, citohen analistë serbë nga “Sputnik” rus.
Jonuz Musliu ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është që presidenti i Shqipërisë të njihet personalisht me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në jug të Serbisë, citojnë mediat serbe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Luginës. /Telegrafi/