Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj rezultateve negative të testit PISA-s për arsimin në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se rezultatet e PISA-s duhet të merren seriozisht, derisa ka shtuar se arsimi në Kosovë është shkatërruar shumë.
Lexojeni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:
“Rezultatet e PISA-s dhe mangësitë e identifikuara në sistemin tonë arsimor duhet t’i marrim me seriozitetin më të madh.
Është e vërtetë që arsimi në Kosovë ka pësuar diskriminim dhe shkatërrim shumë gjatë. Pas luftës, urgjente ishte të ndërtojmë shkolla dhe ta përmirësojmë infrastrukturën e përgjithshme edukativo-arsimore.
Por, tash urgjencë është përmirësimi në të gjitha nivelet i kualitetit të arsimit në Kosovë.
Fëmijët tanë duhet t’i përgatisim, t’i bëjmë më të shkathtë dhe më konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nga tërë bota. HTH” (sic.), ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/