Telegrafi

Presidenti serb: Shpresojmë që Pavarësia e Kosovës të mos jetë kusht për Serbinë

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, gjatë takimit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, sipas medieve serbe, ka theksuar shqetësimin për situatën në Maqedoni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë duke shtuar se BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë ruajtjen e paqes në rajon.

Po sipas medieve serbe, përcjell Telegrafi, Nikoliq ka konstatuar se tensionet janë të dukshme në rajon, ata po rriten dhe se lidershipi në disa vende nuk janë në gjendje për tu përballuar me sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ai, thuhet më tej, ka konfirmuar angazhimin e Serbisë ndaj paqes dhe stabilitetit, si dhe integrimit evropian, dhe shprehu shpresën se ritmi i hapjes së kapitujve të bisedimeve mes Serbisë dhe BE-së do të jetë i përshpejtuar.

E në këtë drejtim, Nikoliq ka shprehur shpresën se Serbisë, në rrugën e saj drejt BE-së, nuk do t’i vendosen kushte që nuk do të mund të përmbushte, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Serbia po punon aktivisht për të përmbushur kërkesat për t’u bërë një anëtare e plotë zhvillon bisedime të sinqerta me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve. Unë nuk e di nëse do të ketë kushte shtesë dhe shpresoj se nuk do të ketë të tilla që nuk do të mund të përmbusheshin, dhe kjo është njohja e Kosovës”, citohet të ketë thënë Nikoliq. /Telegrafi/