Presidenti i Romës, Jim Pallotta, thotë se nuk ka asgjë të vërtetë në njoftimet se Liverpooli është afër transferimit të Mohamed Salah.
Mesfushori egjiptian është shënjestra kryesore e Redsave, ndërsa Jurgen Klopp është i gatshëm të shpenzojë 40 milionë euro për të.
Salah nuk arriti të bëhej lojtar i rëndësishëm te Chelsea në të kaluarën, mirëpo Liverpooli beson se ai do t’i shërbejë skuadrës në Ligën Premier dhe në Ligën e Kampionëve në sezonin e ri.
“Me këto pyetje më ngjani me gazetarët romakë! Për çdo rast, tash për tash nuk ka asgjë”.
“Ne vazhdojmë të marrim oferta për shumë nga lojtarët tanë dhe po t’i merrnim të gjitha parasysh, do të humbnim tri të katërtat e skuadrës. Tash do ta shohim se çfarë do të bëjmë”.
“Për t’u përmirësuar, kemi nevojë për katër ose pesë përforcime, sepse do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm”, ka deklaruar Pallotta për SiriusXM. /Telegrafi/