Site icon Telegrafi

Presidenti i ri i Sirisë e quan planin e Trumpit për Gazën “krim i rëndë” që pritet të dështojë

Presidenti i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha në komentet e transmetuara të hënën se beson se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për të marrë kontrollin e Rripit “është një krim i rëndë që përfundimisht do të dështojë”.

Trump kishte thënë se SHBA-të do të “marrin përsipër” Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta dhe do ta zhvillojnë atë ekonomikisht pasi palestinezët të zhvendosen diku tjetër.

Ai tha se palestinezët nuk do të kenë të drejtën e kthimit në Gaza sipas propozimit të tij.

Por në një intervistë me një podcast në Mbretërinë e Bashkuar, al-Sharaa tha se propozimi i Trump nuk do të kishte sukses, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Unë besoj se asnjë fuqi nuk mund t’i dëbojë njerëzit nga toka e tyre. Shumë vende janë përpjekur ta bëjnë këtë dhe të gjitha kanë dështuar, veçanërisht gjatë luftës së fundit në Gaza gjatë një viti e gjysmë të kaluar”, tha ai.

Al-Sharaa, i shpallur president për një fazë kalimtare pasi grupi i tij militant “Hayat Tahrir al-Sham” (HTS) udhëhoqi përmbysjen e Bashar al-Asad në dhjetor, tha se nuk do të ishte as “e mençur, as moralisht apo politikisht e drejtë” që Trump të udhëheqë një përpjekje për të detyruar palestinezët të largohen nga toka e tyre.

“Mbi 80 vjet të këtij konflikti, të gjitha përpjekjet për t’i zhvendosur ata kanë dështuar; ata që u larguan janë penduar për vendimin e tyre…”, shtoi ai.

Ndryshe, Egjipti, Jordania dhe vende të tjera arabe kanë kundërshtuar me forcë çdo përpjekje për të “shtyrë palestinezët përtej kufirit”.

Ata kanë frikë se çdo lëvizje masive përtej kufirit do të minonte më tej perspektivat për një “zgjidhje me dy shtete” – duke krijuar një shtet të Palestinës pranë Izraelit – dhe do t’i linte vendet arabe të përballen me pasojat. /Telegrafi/

Exit mobile version