Telegrafi

Presidenti që u bojkotua

Hashim Thaçi është inauguruar në postin e presidentit të vendit në një ceremoni solemne, por me bojkotim të figurave të larta politike ndërkombëtare. Në nivel presidentësh të pranishëm ishin vetëm presidenti i Shqipërisë dhe ajo e Kroacisë.

Asnjë figurë e lartë nga shtetet e BE-së nuk u pa në ceremoni, të tjerët mysafirë ishin diplomatë të vendeve të Quint-it, disa përfaqësues të vendeve arabe, latine…

Pas gati 18 vjetësh, në politikë Hashim Thaçi realizon ëndrrën e tij: shpalljen president i Kosovës. Me marrjen e votave të nevojshme tek në raundin tretë në Kuvendin e Kosovës ku nuk munguan as blerjet e disa prej tyre, Thaçi inauguroi veten e tij në sheshin “Skënderbe” të premten, në praninë e rreth 1000 të ftuarve.

Por ishin vetëm dy homologë të tij që e nderuan me pjesëmarrje, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, aty nuk u pa asnjë president tjetër i shteteve të Ballkanit apo ndonjë shteti të Bashkimit Evropian, shkruan Zëri.

Por në ulëse u panë diplomatë të vendeve të Quint-it, SHBA-së. Kurse delegacionet tjera të niveleve jo të larta përfaqësimi ishin: nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Konferenca e Vendeve Islamike, Egjipti, Gana, Jordania, Kosta Rika, Japonia, Bahrejni, Katari, Kuvajti, Arabia Saudite, Kanadaja, Latvia, Estonia, Danimarka, Austria e Malta.