Telegrafi

Presidenti i Prishtinës, Ejupi: Kjo është papërgjegjësi, duhej të na njoftonin 24 orë më herët për shtyrjen e ndeshjes

Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi ka folur rreth shtyrjes së ndeshjes Prishtina-Gjilani, e vlefshme për javën e parë të sezonit të ri të Ipko Superligës së Kosovës.

Java e parë e sezonit të ri 2018/19 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ishte paraparë mbyllej me ndeshjen Prishtina-Gjilani, e cila pritej të luhej në stadiumin e rinovuar të kryeqytetit, të emëruar ‘Fadil Vokrri’ me fillim nga ora 19:45.

Por, FFK ka vendosur ta shtyjë këtë ndeshje shkaku i mospranimit teknik të stadiumit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kjo papërgjegjësi nuk i ka pëlqyer aspak presidentit të Prishtinës.

Lexo po ashtu FFK: Ndeshja mes Prishtinës dhe Gjilanit shtyhet, shkak mospranimi teknik i stadiumit

“Shtyrje mund të ketë edhe në të ardhmen, por duhet të jenë më të përgjegjshëm, së paku duhet të na njoftojnë 24 orë më herët”, ka thënë fillimisht Ejupi.

“Klubet duhet të njoftohen më herët, arsyeja është se jemi përgatitur për këtë ndeshje. Besoj që është pakujdesi ndaj të dy klubeve, tifozëve, futbollit dhe sportit”.

“Duhej të na tregonin më herët se stadiumi nuk është në gjendje, nuk është dorëzuar teknikisht”.

“Mendoj se edhe pas pranimit, punë-kryesi duhet të mirëmbajë dhe mbikëqyr ende stadiumin për disa vite”.

Lexo po ashtu Prishtina dhe Gjilani arrijnë në stadiumin 'Fadil Vokrri', gjilanasit kërkojnë pikët në tavolinë

“Neve na kanë njoftuar sot (e hënë) rreth orës 15:00. Kjo nuk është e drejt, së paku të na kishin njoftuar 24 orë më herët”.

“Kam takuar njerëz, që i kanë lënë pushimet për të shikuar ndeshjet. Por, ata të cilët kanë blerë bileta, mund t’i shfrytëzojnë ato kur të vendoset të zhvillohet kjo ndeshje”, përfundoi presidenti i Prishtinës. /Telegrafi/