Site icon Telegrafi

Presidenti Nishani: Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët

Çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe as me nazistët – ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili zhvilloi në Presidencë një veprimtari kushtuar “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore” në kuadër të 71-vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, drejtues dhe anëtarë të “Shoqatës Çamëria” si nënkryetari i saj, Dritan Sejko, familjarë të Heroit të Popullit, Ali Demi dhe të dëshmorëve të lirisë, si dhe të të internuarve nga Çamëria në kampet e përqendrimit e të shfarosjes në masë, studiues, historianë dhe publicistë.

Pasi theksoi se “kjo fitore historike e dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të popujve liridashës e kurorëzuar më 8 maj 1945, ka në themelet e saj edhe kontributin e shqiptarëve jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por edhe jashtë këtyre kufijve”, presidenti Nishani vuri në dukje se:

“Fatmirësisht dhe në saje të etjes për liri dhe mosnënshtrimit historik të popullit tonë ndaj asnjë lloj pushtuesi, Shqipëria dhe bijtë e bijat e saj atdhetarë, ditën me mjaft largpamësi të rreshtoheshin në anën e drejtë të barrikadës, krah për krah me ato shtete dhe vende të cilët edhe sot e kësaj dite, pas gati shtatë dekadash, janë partnerët dhe aleatët tanë të palëkundur dhe besnikë në NATO”.

“Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria dhe i gjithë kombi shqiptar u bënë kontribuues të denjë në mbështetje të antifashizmit evropian dhe mbarëbotëror duke treguar një shpirt të paepur për liri dhe demokraci. ‘Pema e lirisë nganjëherë duhet vaditur me gjakun e atdhetarëve dhe të tiranëve”, ka thënë dikur ish-Presidenti amerikan Thomas Jefferson. Dhe shqiptarët këtë e vërtetuan me shembullin e tyre. Është ky kontribut i pamohueshëm që na bën sot krenarë faqe botës duke u ndierë të barabartë mes popujve liridashës dhe paqedashës”, është shprehur presidenti.

Exit mobile version