Site icon Telegrafi

Presidenti Meta takoi kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjeneral Petr Pavel.

Presidenti Meta i uroi mirëseardhjen dhe i shprehu mirënjohjen gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën.

Presidenti vlerësoi angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazëvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan.

Presidenti Meta e siguroi gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen.

Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, veçanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme.

Presidenti Meta shprehu besimin se takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë, do të zhvillohet me sukses.

Exit mobile version