Telegrafi

Presidenti Meta: Gëzuar 2020! T’i lëmë pas zhgënjimet

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një videoje ka uruar shqiptarët për 2020-në, me dëshirat që ky Vit i Ri të jetë i mbarë dhe i begatë, i mbushur me lumturi, dashuri dhe paqe në çdo familje shqiptare.

Ai tha se në këtë natë feste t’i lëmë pas zhgënjimet e vitit të kaluar.

 “Zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen evropiane dhe standardet e saj”, tha presidenti Meta.

Edhe gjatë këtij urimi, kreu i shtetit shqiptar nuk e ka lënë pa e përmendur edhe ngjarjen tragjike të 26 nëntorit, ku si pasojë e tërmetit humbën jetën mbi 50 persona dhe u lënduan rreth një mijë të tjerë.

“Solidariteti mbarëkombëtar që treguam pas tërmetit tragjik, është një themel i fortë dhe i qëndrueshëm, që na frymëzon të gjithëve dhe na jep besim për sfidat që na presin! Sot ne shkëmbejmë urimet më të mira për Vitin e Ri, por nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë! E ardhmja është në dorën e secilit prej nesh dhe të bashkuar  do t’ia dalim! Numërimi mbrapsht ka filluar! Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh! Gëzuar në çdo vatër shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar!”.