Telegrafi

Presidenti i Meksikës mendon ta anulojë vizitën në SHBA

Presidenti i Meksikës, Enrike Penja Nieto mendon ta anulojë vizitën e planifikuar në Uashington, që duhet të realizohet javën e ardhshme, deklaroi një përfaqësues i lartë anonim i Qeverisë meksikane.

Penja Nieto mendon për anulim të vizitës pasi që presidenti amerikan Donald Trump mbrëmë nënshkroi dekretin për ndërtimin e murit në kufirin ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.

Presidenti meksikan mbrëmë shprehi keqardhje për shkak të dekretit të Trumpit.

“Më vjen keq për vendimin e tillë dhe e dënoj. Meksika nuk beson në mure. Disa herë kam thënë se Meksika nuk do të paguajë për murin”, shkroi Penja Nieto në Twitter.

Takimi është paraparë për më 31 janar. Në SHBA për momentin ndodhen ministri meksikan i Ekonomisë dhe ai i Punëve të Jashtme.