Pranimi i Malit të Zi është gjëja më e mirë që mund të bëjë tani Bashkimi Evropian (BE), deklaroi presidenti malazez, Jakov Milatoviq, i cili mori pjesë në forumin e tretë për dialog të Prespës, Maqedoni të Veriut.
Ai theksoi se iniciativa Ballkani i Hapur është politizuar në Mal të Zi dhe e vlerësoi si pozitive nëse sjell të mira për qytetarët dhe ekonominë.
“Gjeopolitikisht është koha më e mirë për të hyrë në BE. Mendoj se Brukseli e kuptoi se procesi duhet të jetë më politik. Mali i Zi nuk ka probleme me fqinjët, ne kemi dhjetë vjet që negociojmë, tashmë jemi anëtar i NATO-s. Ne e ndryshuam qeverinë në një mënyrë relativisht demokratike… Kjo është përgjigja dhe ajo që u duhet vendeve të tjera të rajonit”, tha Milatoviq.
Ai theksoi se stabiliteti i plotë në Ballkan mund të arrihet vetëm me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kur u pyet për nismën e Ballkanit të Hapur, Milatoviq tha se “si ekonomist, jam pro që Ballkani të jetë i hapur. Kjo mund të arrihet përmes Ballkanit të Hapur ose Procesit të Berlinit. Mendoj se është një gjë e mirë, por kjo çështje kohët e fundit është politizuar shumë në Mal të Zi dhe ndoshta është paraqitur në mënyrë të gabuar”.
Ai tregon se Ballkani i Hapur duhet parë nga një kënd tjetër, “Nëse ne tërhiqemi pak dhe t’i shikojmë gjërat nga perspektiva ekonomike dhe nëse iniciativa sjell vlerë për qytetarët dhe ekonominë, besoj se është pozitive”.
Ndryshe, në forumin me titull “Familja e zgjeruar evropiane deri në vitin 2030: mision (i pamundur)?”, ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /Telegrafi/