Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha se në Këshillin Evropian do të votojë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, por vlerësoi se negociatat për anëtarësim do të zgjasin 500 vjet ose më shumë.
Ai tha se ishte në favor të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Bosnjës në BE edhe para kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, raporton klix.ba.
“Negociatat për hyrjen e Bosnjës në BE do të zgjasin më shumë se sa ishin nën okupimin e turqve”, beson Milanoviq.
Presidenti kroat u tha gazetarëve se po të kishte qenë në vend të Plenkoviqit, do të kishte kërkuar që kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë t’u jepej e drejta për të zgjedhur anëtarin e tyre të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës.
“Duhet të luftojmë për atë që u është vjedhur, atë që u takon sipas Dejtonit, gjë që Plenkoviqi nuk ka guxuar ta bëjë dhe unë do ta bëj menjëherë”, ka thënë ai.
Ndryshe, Bosnja dhe Hercegovina aplikoi zyrtarisht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian më 15 shkurt 2016, pas viteve të reformave kushtetuese dhe angazhimeve me Marrëveshjen e Paqes në Dejton. /Telegrafi/