Telegrafi

Presidenti i Koresë së Jugut ia thotë këngës në ndejën e Bidenit në Shtëpinë e Bardhë

Në fund të një darke shtetërore në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden ftoi presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol për të kënduar këngën American Pie.

Yoon mori mikrofonin dhe filloi ta këndonte këngën me një anglishte mjaft të rrjedhshme, ndonëse në fillim të bisedës fliste në gjuhën koreane.

Ajo që ra në sy ishte gjithashtu edhe zëri i mrekullueshëm i presidentit të Koresë së Jugut, transmeton Telegrafi.

Yoon ka shkuar në Washington për të diskutuar një sërë çështjesh dhe ka siguruar një marrëveshje historike me SHBA-në për të ballafaquar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut.

Derisa ishin të dy në skenë, në darkën shtetërore, Bideni ia kërkoi homologut të tij jug-korean ta këndojë këngën.

“E dimë që është një ndër këngët e tua të preferuara. Ne duam ta dëgjojmë nga ti”, i thotë presidenti amerikan, derisa përkthyesja ia kumton kërkesën në gjuhën koreane presidentit Yoon.

Këndimi i tij u prit me brohoritje nga të ftuarit dhe me duartrokitje. /Telegrafi/