Telegrafi

Presidenti i klubit më nuk do të shpenzojë te Hamburgu

Klubi i Hamburgut, pavarësisht vështirësive të viteve të fundit, është një nga më të njohurit në kampionatin gjerman të futbollit dhe investimet për të apo emrat e njohur që i janë bashkuar skuadrës, nuk kanë munguar kurrë.

Por duket se pikërisht këto vështirësi kanë shtyrë presidentin Klaus-Mihael Kuhne që të kërkojë llogari mbi mënyrën se po shpenzohen paratë e tij në këtë klub, që investon shifra të mëdha, por po lufton vit pas viti vetëm për mbijetesën.

Në një intervistë për “Handelsblatt”, miliarderi gjerman bëri të ditur se tani i kishte dhënë fund shpenzimeve për klubin.

“Kjo është hera e parë që e bëj një gjë të tillë”, tha ai, duke komentuar se merkatoja e futbollistëve tani kishte filluar që të përfshinte shifra të cilat edhe ai i cilësonte “të frikshme”.

Sipas asaj që kanë mësuar mediat gjermane, vetëm në 5 vitet e fundit ai ka investuar 60 milionë euro nga paratë e tij, dhe Kuhne ka bërë të qartë se nuk do të vazhdojë të hedhë më para pa mësuar se si investohen ato, raporton Panorama.

“Klubi ka kaluar një periudhë të çmendur vështirësie, ka pasur ndryshime, është luajtur kumar me blerje të reja. Sigurisht që kur investon kaq shumë para, siç kam bërë unë, atëherë fillojnë edhe pakënaqësitë”, tha ai.

“Me pak fjalë, investimet e mëdha nuk do të vazhdojnë nëse Hamburgu nuk arrin të fillojë të prodhojë rezultate dhe të marrë pjesë në Europë”, shtoi ai.

Kjo do të thotë se nëse klubin e përfshin kriza e rezultateve si një vit më parë, Hamburgu nuk do të ketë në dispozicion para jashtë buxhetit për të ndërhyrë në afatin kalimtar të janarit, siç bëri këtë vit kur afroi Mavrajn për të rregulluar prapavijën, një lajm jo edhe aq i mirë për skuadrën e cila ka humbur dy ndeshjet e fundit radhazi.