Presidenti kinez Xi Jinping ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për Moskën zyrtare, lidhur me “çështjet e sigurisë dhe sovranitetit”, gjatë një bisede telefonike që e zhvilloi me liderin rus Vladimir Putin.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua, Xi citohet t’i ketë thënë se “të gjitha palët e përfshira do të duhet që me përgjegjësi të merren vesh për një zgjidhje të duhur për krizën në Ukrainë”.
Ndërkohë nga Kremlini thanë se “Putin i përshkroi të gjitha vlerësimet e tij parimore në lidhje me situatën momentale në Ukrainë”, transmeton Telegrafi.
Sipas deklaratës zyrtare të lëshuar nga Moska, ata thanë se “Xi vuri në dukje legjitimitetin e veprimeve të ndërmarra nga Rusia për të mbrojtur interesat themelore kombëtare përball sfidave ndaj sigurisë së vendit të krijuara nga forca të jashtme”.
Kina nuk ka kritikuar agresionin rus në Ukrainë e madje as nuk i është referuar me termin “agresion”, ndërsa ka akuzuar NATO-n dhe Perëndimin se kanë bërë provokime që e shtynë Moskën të sulmojë në Ukrainë.
Ndërsa SHBA-të kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me rreshtimin e Kinës në krahun e Rusisë, duke thënë se kombet të cilat mbështesin Putinin në lidhje me agresionin në Ukrainë do të jenë gjithmonë në anën e kundërt të historisë. /Telegrafi/