Kina është e përkushtuar ndaj paqes, por nuk do të heqë dorë nga “asnjë centimetër” i territorit, tha presidenti Xi Jinping, pas bisedimeve me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tensionet midis dy vendeve po rriten mbi armiqësitë tregtare dhe pretendimet gjithnjë e më të shtuara të Kinës për territorin në Detin e Kinës Jugore.
E siç thuhet më tej, Mattis është shefi i parë i Pentagonit që viziton Kinën që nga viti 2014.
Ai është në një udhëtim në Azi, duke takuar disa aleatë rajonalë të SHBA-ve.
Mattis tha se bisedimet e tij me Z. Xi dhe zyrtarë të tjerë në Pekin të mërkurën ishin “shumë, shumë” të mira, duke shtuar se SHBA po cakton një “shkallë të lartë të rëndësisë për marrëdhëniet ushtarake” me Kinën.
E Xi shtoi se Kina kishte qëllime paqësore, por rivendosi pikëpamjen e tij se nuk do të ketë lëshime nga Kina për atë që ai e konsideron si territor kinez.
“Ne nuk mund të humbim edhe një inç të territorit të lënë nga paraardhësit tanë”, tha Xi, sipas mediave kineze shtetërore. “E çfarë është e të tjerëve, ne nuk e duam fare”. /Telegrafi/