I infektuar me COVID-19, presidenti amerikan, Joe Biden, po përballet me izolim fizik dhe politik në një moment kritik të fushatës së tij për një mandat të dytë presidencial.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, më shumë demokratë po i kërkojnë që të tërhiqet nga gara.
Republikanët u zotuan për unitet dhe mbështetje ndaj kandidatit të tyre për Shtëpinë e Bardhë, ish presidentit Donald Trump, ndërsa i dhanë fund kuvendit kombëtar në Miluaki.
Për Bidenin është një skenë më e vetmuar. Ai është izoluar në shtëpinë e tij në Dalauer pas infektimit me COVID-19.
Ndërkohë ligjvënës të lartë demokratë i kanë bërë thirrje atij që të tërhiqet nga gara, me analistët qëthonë se shanset e presidentit janë “të zymta”.
“Madje, demokratët nuk mund të vendosin nëse Bideni është në një situatë problematike apo jo. Dhe nëse po, ta largojnë nga gara dhe në çfarë mënyre. Kjo është një çështje themelore. Nga ana tjetër, republikanët janë bashkuar dhe realizuan një kuvend të mirë. Donald Trumpi, pjesërisht për shkak të atentatit ndaj tij, ndoshta ka më shumë mbështetje publike sesa ka patur më parë”, tha analisti Larry Sabato nga Universiteti i Virxhinias.
Thuhet se presidenti po i dëgjon shqetësimet ndërsa publikisht po u reziston thirrjeve për t’u tërhequr nga gara.
“Kam treguar se di si t’i bëj gjërat për vendin, pavarësisht se u është thënë se ne nuk mund t’i realizonim. Por kemi ende për të bërë, dhe unë hezitoj të tërhiqem”, tha Biden gjatë një interviste në kanalin televiziv BET.
Siç raportohet, 65% e demokratëve thonë se Biden duhet të largohet nga gara, sipas një ankete nga AP-NORC.
“Është kulmi i marrëzisë dhe injorancës të pretendosh se e di se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, bazuar në anketa që ndryshojnë vazhdimisht. Dhe t’i detyrosh kandidatët të tërhiqen, vetëm sepse mendoni se ata nuk mund të fitojnë”, tha profesori Alan Lichtman nga Universiteti Amerikan.
Ndryshe, sistemi “Keys to the White House” nga historiani presidencial Alan Lichtman ka parashikuar me saktësi që nga viti 1984 të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, me përjashtim të një rasti.
Ai thotë se demokratët duhet të qëndrojnë me Bidenin.
Sistemi i profesorit Litchman nuk i merrr parasysh anketat. 70% e amerikanëve thonë se nuk janë të sigurt që Biden ka kapacitetin mendor për të qenë president ndërsa 51% mendojnë të njëjtën gjë për Trumpin.
Nëse Biden pranon të largohet, një skenar i mundshëm do të ishte që ai të mbështesë një kandidat tjetër.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris do të ishte një zgjedhje logjike, të paktën nga ana financiare, sepse si pjesë e dyshes Biden-Harris, ajo do të trashëgonte fondet e mbledhura për fushatën presidenciale. /VOA/