Edhe pse i ftuar në rregull, kryetari Ivanov sot nuk u shfaq në seancën parlamentare për kërkim të përgjegjësisë ndaj tij, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Mos ardhja tij shkaktoi shumë reagime të ashpra tek deputetët opozitarë. Kjo ka bërë që as seanca e 105-të të mos e përfshijë procesin e votimit të iniciativës së ngritur nga deputetët e LSDM-së, e cila përkrahet edhe nga Partia shqiptare në pushtet, BDI.
Rafiz Aliti, deputet i Kuvendit, ka vlerësuar se Presidenti Ivanov duhet të japë dorëheqje, për shkak se, sipas tij, ai e ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, por mbi të gjitha si akt moral, duhet të jep dorëheqje për shkak të prishjes së imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare. Aliti ka thënë se mos prania e Ivanovit në Kuvend, ka bërë që ai të humb një mundësi për të arsyetuar vendimin e tij.
Përderisa deputetët nga radhët e OBRM-PDUKM e quajnë si të panevojshëm këtë iniciativë për kërkim përgjegjësi nga presidenti, meqë është tërhequr vendimi i faljeve, deputetët opozitarë insistojnë që kjo procedurë të ec deri në fund, madje kërkojnë edhe dorëheqjen e Presidentit Ivanov.
“Përgjegjësia jonë është që të tregojmë se askush nuk është mbi ligjin, dhe me këtë kthejmë besimin e qytetarëve tek institucionet e shtetit. Askush s’do të jetë mbi kushtetutën, madje as shefi i shtetit. Presidenti Ivanov, duhet të bartë përgjegjësi për shpërdorimin e funksionit të tij, përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve në kompetencat e tij”, tha deputetja e LSDM-së, Renata Treneska Deskovska.
Vendimi eventual për fillim të procedurës para Gjykatës Kushtetuese për vërtetimin e përgjegjësisë së kryetarit Ivanov, duhet të sillet nga të paktën 82 deputetë, që është dy e treta e votave në kuvend./Telegrafi/