Telegrafi

Presidenti Ivanov dhe kryetari i Selanikut Boutaris në vizitë të Krushevës

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje ivanov dhe kryetari i Selanikut, Yiannis Boutaris sot kanë qëndruar për vizitë në Krushevë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Me ftesë të Shkollës për liderë të ri që mbahet nën patronazhin e presidentit Ivanov, kryetari Boutaris është njëri nga ligjëruesit në këtë shkollë ndërkombëtare, që është dhe shkaku për vizitën e tij në Maqedoni.

Gjatë vizitës në Krushevë, Ivanov dhe Boutaris kanë realizuar një drekë pune me kryetarin e Krushevës, Gjorgji Damçevski.

Në kontekstin më të gjerë të masave për ndërtim të mirëbesimit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Ivanov në vazhdimësi realizon takime me delegacione të ndryshme akademikësh dhe biznesmenësh, me qëllim të vendosjes së urave të bashkëpunimit midis shoqërisë së Maqedonisë dhe Greqisë. Qëllimi i këtyre takimeve është shfrytëzimi i mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta nga sfera e investimeve, ekologjisë, avancimit të bashkëpunimit ekonomik dhe universitar./Telegrafi/