Telegrafi

Presidenti i Interit u ka kërkuar futbollistëve të heqin dorë nga pagat për dy muaj

(Foto: Twitter/Inter)

Presidenti i Interit, Steven Zhang, ka kërkuar nga lojtarët që të heqin dorë nga paga e tyre për dy muaj, në mënyrë që t’i ndihmojnë klubit financiarisht – njofton Sky Sport Italia.

Si shumë klube tjera evropiane, edhe Nerazzurrët përballen me krizë financiare, kryesisht si pasojë e pandemisë së coronavirusit.

Kreu i klubit është takuar me futbollistët mëngjesin e të hënës dhe ka kërkuar nga ata që të mos marrin paga për dy muaj.

(Foto: Twitter/Inter)

Secili lojtar do të vendosë individualisht dhe do të takohet me drejtorët e klubit në ditët në vijim.

Sipas njoftimeve tjera, futbollistët e Interit tashmë kanë hequr dorë nga bonuset e fitimit të titullit të Serie A (për herë të parë pas 11 vitesh).

Zëvendëspresidenti Javier Zanetti pranoi në javën e kaluar se klubi ka probleme serioze financiare, derisa drejtori Giuseppe Marotta theksoi se klubi do të kërkojë nga lojtarët që ta ndihmojnë. /Telegrafi/