Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për ngjarjen e sotme në Elbasan, ku një person u vra me armë zjarri dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.
Nga qyteti i Fierit, kreu i shtetit tha për mediat se qarku i Elbasanit është një nga qarqet më problematike në Shqipëri.
“Nuk mund të them asnjë gjë për çështjen e Elbasanin, sepse nuk mund të flas pa pasur të qartë dinamikën e ngjarjeve, por di që Elbasani ka qenë dhe mbetet së bashku me Durrësin, dy nga qarqet më problematike”, tha ai.
Ai madje ngriti një tjetër shqetësim, kur tha se Prokuroria në Elbasan është tërësisht e njëanshme.
“Ajo që është shqetësues në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore deri tani që janë denoncuar i takojnë qarkut të Elbasanit. Ajo që është serioze është që prokuroria është tërësisht e njëanshme në Elbasan, po kështu edhe Shërbimi Informativ dhe për këtë sot kam kërkuar të këtë vëmendjen e tij edhe drejtorit i SHISH-it, jo vetëm në Elbasan, por edhe në qytete të tjera dhe dihet pastaj që Policia në Elbasan bëhet palë midis grupimeve rivale, por gjithmonë të lidhura me Taulantin”, tha Meta.
Meta u bëri thirrje institucioneve lugjzabtuese të jenë në krye të detyrës dhe të shkëpusin çdo lidhje apo preferencë partiake.
“Organet ligj-zbatuese të shkëpusin çdo preferencë partiake dhe padyshim do mbajnë përgjegjësi për ngjarjet e rënda që po regjistrohen në vend, sepse vendi nuk ka nevojë për viktima, por mbi të gjitha vendi nuk ka nevojë për asnjë lloj cenimi të standardeve zgjedhore. Me qetësi dhe dashuri të nisen [qytetarët] drejt 25 prillit”, theksoi ai.