Telegrafi

Presidenti Hasani priti koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrike Richardson

Presidenti i Komitetit i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur sot koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrike Richardson.

Presidenti Hasani, duke e falënderuar koordinatoren Richardson për bashkëpunimin e deritashëm, e njoftoi me sfidat nëpër të cilat ka kaluar Lëvizja Olimpike deri në anëtarësimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), si dhe planin strategjik të KOK-ut për anëtarësim në IOC.

Koordinatorja Richardson u njoh edhe me planin strategjik të KOK-ut 2017-2020, me theks të veçantë ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ku gjatë këtij viti, krahas kursit bazik për administratorë të sportit dhe kursit për trajnerë, filloi edhe kursi i avancuar për menaxhimin sportiv, ASMC 1.

Përfshirja e komuniteteve tjera, konkretisht sportistëve në Lëvizjen Olimpike ishte një tjetër temë për të cilën u bisedua, për çka presidenti Hasani përsëriti gatishmërinë që edhe sportistë të komuniteteve tjera të inkorporohen në institucionet sportive në Kosovë.

Richardson, duke u interesuar për gjendjen e federatave shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me KOK-un në projekte të ndryshme, të cilat i përshtaten UNKT-së.

Sukseset e shumta të xhudos këtë vit, konkretisht medaljet e fundit të fituara në Kinë, ishin pjesë e bashkëbisedimit, ndërsa në fund presidenti Hasani i ndau librin “Debutimi i Artë”, kushtuar medaljes së artë Olimpike të Majlinda Kelmendit.