Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar sot (e diel) një vizitë pune në Zagreb, në Federatën e Futbollit të Kroacisë, me ç’rast u prit nga presidenti i saj, Davor Suker.
Në këtë takim disa orësh, presidentët Ademi e Suker, diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy federatave në shumë sfera. Me theks të veçantë u diskutua për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore, qoftë me kombëtaret respektive A, qoftë me ekipet e grupmoshave si dhe me ekipet e veteranëve.
Të dyja palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt këto diskutime të vazhdojnë në mënyrë që të gjenden datat e sakta se kur mund të zhvillohen ndeshjet në fjalë.
Ndër të tjera, Ademi e Suker diskutuan edhe për zhvillimet eventuale në UEFA, ku Suker e mban pozicionin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv.
Presidenti Ademi edhe njëherë e shfrytëzoi rastin për ta falënderuar Sukerin për ndihmën që ka dhënë ai personalisht, por edhe Federata e Futbollit e Kroacisë në vazhdimësi për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Ndërkaq, në frymën e miqësisë së vërtetë me presidentin Ademi, Suker premtoi që është i gatshëm në çdo kohë për FFK-në dhe për Ademin kurdo që është e nevojshme.
Në fund, pas drekës së përbashkët, ku ishin të pranishëm edhe anëtari i KE-së, Mirsad Çollaku, kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Muharrem Sahiti dhe menaxheri i Përfaqësueses A, Bajram Shala, u shkëmbyen edhe dhuratat ndërmjet dy krerëve të federatave – thuhet në njoftimin e FFK-së.