Në një atmosferë të ngrohtë miqësie, presidenti i FFK-së z. Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të KE, Xhelal Broja dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, e priti presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, z. Muhamet Sejdini.
Duke i dëshiruar mirëseardhje presidenti Ademi e njohu homologun Sejdini për zhvillimet e gjithëmbarshme në futbollin e Kosovës, për zhvillimin e kampionatit që po rrjedh mirë e në suaza të ‘fair play’-t me një konkurrencë të jashtëzakonshme.
Për mbështetjen që po u bëhet klubeve, për përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e fushave me bari sintetikë, që ngadalë edhe kjo pikë neuralgjike e futbollit të Kosovës po zbutet ngadalë.
Presidenti Ademi e njohu edhe për ecurinë e Përfaqësueseve të Kosovës në veçanti për Përfaqësuesen A që po merr pjesë në garat kualifikuese për Ligën e Kombeve.
Bashkëpunimi ndërmjet dy federatave është me interes të dyanshëm ka theksuar presidenti Ademi. Nga ana e tij presidenti i FF të Maqedonisë, z. Muhamet Sejdini, duke e falënderuar z. Ademi për mikpritje, po ashtu e njohu atë me të arriturat në futbollin e Maqedonisë duke thënë se jemi të interesuar që të thellojmë bashkëpunimin dhe se këmbimi i përvojave do ta ndihmonte shumë zhvillimin e futbollit në të dyja vendet.
Të dy presidentet u pajtuan që të forcojnë e thellojnë bashkëpunimin edhe më shumë në të ardhmen në interes të futbollit. /FFK/