Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të martën pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, i propozoi Kuvendit të Kosovës dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i pandemisë nga coronavirusi.
Ndonëse dje presidenti Thaçi deklaroi se Zyra Ligjore e Presidentit dhe Zyra Ligjore e Kuvendit janë duke u koordinuar që të finalizohet dekreti i Presidentit të Kosovës për ndërmarrjen e masave për kalimin e kësaj gjendje që kemi, në Kuvendin e Kosovës ende nuk ka shkuar ky dekret.
Kështu kanë deklaruar për Telegrafin nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk ka ardhur ende në Kuvend. Dje e kemi pranuar vetëm dekretin për buxhetin”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.
Telegrafi ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Zyra e Presidentit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është e nevojshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Kurti ka konsideruar se për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata dhe të veprohet kur e kërkon nevoja, por tani për tani është i panevojshëm dhe nuk do të duhej të merrnin një vendim të tillë.
Deri më tani në Kosova janë shënuar 20 raste me coronavirus. /Telegrafi/