Empoli ka qenë njëra nga befasitë e këtij edicioni në elitën e futbollit italian Serie A.
Skuadra bardhekaltër ka zhvilluar një futboll shumë sulmues ku kanë shkëlqyer edhe emra të ri të futbollistëve nën urdhrat e trajnerit Aurelio Andreazzoli.
Ndër emrat që shkëlqyen te Empoli këtë edicion janë edhe dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani.
23-vjeçari nga Tetova, Nedim Bajrami ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar në gjashtë në tjerë në 37 ndeshje zyrtare mes kampionatit dhe kupës.
Ndërkohë sa i përket 20-vjeçarit nga Elbasani, Kristjan Asllanit ai ka realizuar një gol dhe ka asistuar në një tjetër në 25 ndeshje.
Shumë skuadra janë vënë në ndjekje të dyshes shqiptare, ku Lazio, Sassuolo, Torino, Napoli e Fiorentina e duan Bajramin, derisa Inter, Milan e Napoli pas Asllanit.
Presidenti i klubit toskan, Fabrizio Corsi është ndalur edhe te dy lojtarët shqiptarë në prononcimin e dhënë për Radio Kiss Kiss.
“Bajrami apo Asllani te Napoli sezonin e ardhshëm? Nuk e di, nuk mund ta them një gjë të tillë, sot nuk mund të flasim për afatin kalimtar”.
“Bëhet fjalë për mendime dhe ide. Të fokusohemi tek Atalanta, një sfidë e rëndësishme edhe sa i përket tregut të transferimeve”, u shpreh Corsi.
Mediat në Itali kanë raportuar se dyshja shqiptare pritet të largohen në verë nga Empoli, pasi shumë skuadra janë vënë pas tyre dhe do t’i ofrojnë kushte shumë më të mira Bajramit e Asllanit gjë që do ta bëjë edhe më të vështirë qëndrimin e tyre tek klubi toskan. /Telegrafi/