Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, viziton sot Tiranën.
Presidenti Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri si President i EBA, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë, u prit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga kryeministri Edi Rama.
Rama dhe presidenti Mohamed bin Zayed Al Nahyan, iu drejtuan Kryeministrisë, ku do të zhvillojnë një takim kokë më kokë në zyrën e kryeministrit Rama dhe në vijim do të firmoset një marrëveshje bashkëpunimi mes palëve.
Duke folur për këtë ngjarje, një ditë më parë, kryeministri Rama tha se vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njërit prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme, shënon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë vitet e fundit.
Ndërkohë, para pak çastesh garda kombëtare është rreshtuar në nderim të Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku edhe u intonuan himni shtetëror i të dyja vendeve./kp/