Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk i ka marrë parasysh kërkesat e shoqërisë civile për mos dekretimin e Safet Hoxhës si gjykatës të Kushtetueses. Ai sot zyrtarisht ia dha këtë mandat atij.
Hoxha ka të kaluar politike si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Ka qenë Këshilltar i PDK-së në Kuvendin Komunal të Suharekës, shkruan Insajderi.
Kishte marrë pjesë edhe në tubimet e kësaj partie gjatë zgjedhjeve të brendshme në vitin 2013, madje kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK-së, në komunën e Suharekës edhe pse mbante pozitën e kreut të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publikë.
Hoxha u votua nga deputetët e Kuvendit si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, në raundin e dytë gjatë muajit korrik.
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, përmes një letre të hapur i ishte drejtuar presidentit Hashim Thaçi duke i kërkuar të mos e dekretojë Hoxhën. Mirëpo ai sot në një pritje që u ka bërë gjyqtarëve të rinj të kushtetueses edhe zyrtarisht e dekretoi atë.
Thaçi po ashtu dekretoi edhe gjykatësin nga komuniteti serb, Radomir Leban edhe pse ai është duke u kërkuar nga INTERPOL. Shteti Serb e kërkon atë pasi është i dënuar me 6 vite burgim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandë. /Insajderi.com/